headerphoto

DREJTUESI DISPONIBËL PËR PUNONJËSIT

MANNA E SË HËNËS
6 Qershor, 2011

Nga Rick Boxx

Një artikull i së përditshmes ekonomiko financiare The Wall Street Journal,  bënte fjalë për një praktikë të habitshme që po zbatohej nga disa drejtues. Sipas artikullit, ata marrin në punë një “shef personeli”, person ky që  merret drejtpërdrejt me punonjësit, duke i dhënë mundësi shefave të mëdhenj  që t’iu përkushtohen më shumë çështjeve më thelbësore të kompanisë.

Tingëllon interesant fakti që, në një kohë kur shumë drejtues të lartë ekzekutivë janë tashmë mjaft larg stafit të punonjësve, shkojnë edhe më larg akoma duke caktuar një portier më shumë, një shtresë më tepër izolimi midis tyre dhe punonjësve. Kjo bën që punonjësit ta kenë një sfidë të vërtetë kontaktin me shefat e tyre të lartë. Për më tepër, kjo i shkakton shqetësim edhe më të madh punonjësve që janë të shqetësuar se zëri i tyre nuk është dëgjuar dhe se kontributi i tyre për kompaninë nuk është vlerësuar.

Menaxhimi i kohës është shumë i rëndësishëm dhe unë mendoj se këtu e ka origjinën kjo praktikë e re. Megjithatë, lidership i vërtetë dhe efektiv është vetëm ai që ka të bëjë me konceptin e të shërbyerit njerëzve jo të  shmangies së tyre. Kur ne e konsiderojmë marrëdhënien e afërt me njerëzit si problem dhe jo si privilegj, atëherë është e qartë se kemi ngatërruar keqas prioritetet.

Ka shumë burime se ku mund të drejtohesh për të kuptuar rëndësinë e kontakteve të afërta midis liderëve dhe atyre që udhëhiqen prej tyre, por shembujt më domethënës gjenden në Bibël. Në Testamentin e Ri lexojmë: “’Njerëzit i sillnin fëmijët e tyre të vegjël te Jezusi që ai t’i prekte me dorë, por dishepujt iu hakërreheshin atyre. Kur e pa këtë, Jezusi u inatos. Ai u tha atyre, “Lerini fëmijët të vijnë te unë dhe mos i pengoni, sepse prej tyre përbëhet mbretëria e Perëndisë" (Marku 10:13-14).

Kushdo që i njeh tregimet e Biblës për jetën e Jezusit, e di se Ai kishte një mision të qartë, por pak kohë në dispozicion për ta përmbushur atë. Megjithatë, sikundër u tregua në pasazhin e përmendur më sipër, Jezusi gjithmonë mundi ta gjejë kohën për njerëzit që e lypnin vëmendjen e tij.  Atëherë, në qoftë se vetë Biri i Perëndisë e pranonte me kënaqësi praninë e fëmijëve - të cilët, në atë kohë, konsideroheshin si jo-njerëz, a nuk duhet të jemi edhe ne në dispozicion të punonjësve tanë?

Ja disa parime të tjera nga Bibla:

Mate rregullisht pulsin e stafit tënd. Si mund ta marrësh vesh se po të lindin probleme serioze në kompani në qoftë se nuk ke komunikim periodik e të afërt me punonjësit e tu? Të neglizhosh problemet që dalin, do të thotë ta vesh kompaninë në rrezik. “Sigurohu për gjendjen e kopeve të tua, kushtoi vëmendje të kujdesshme tufave…qengjat do të sigurojnë veshjen tënde dhe dhitë vlerën e një are…” (Fjalë të Urta 27:23-27).

Udhëhiq me qartësi në mirëkuptim me stafin tënd. Kur njerëzit besojnë se liderët përpiqen për të mirën e tyre, ata frymëzohen për të dhënë maksimumin në punë. “Një vend në rebelim ka shumë sundues, por njeriu i urtë e i ditur ve rregull” (Fjalë të Urta 28:2).

Kushtoju vëmendje dhe kujdes të tjerëve aq sa do deshe që ata të të kushtojnë ty. Kur gjendemi ngushtë, duam që t’u komunikojmë të tjerëve mesazhin se kemi nevojë për ndihmën e tyre. Si liderë, këto kanale komunikimi me vartësit duhet t’i mbajmë gjithmonë të hapur duke u treguar të ndjeshëm ndaj tyre. “…bëj për të tjerët atë që do të deshe që ata të bënin për ty” (Lluka 6:31).

Copyright 2010, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me lejen e "Integrity Moments with Rick Boxx," komente mbi cështje të integritetit moral në biznes nga këndvështrimi i Krishterë. Për të ditur më teper mbi Integrity Resource Center (IRC), ose për të përcaktuar se në cfarë mase ti vetë i ndjek parimet e Perëndisë në biznesin tënd, provo pa pagesë testin FIRE  në vebsajtin  www.integrityresource.org.

CBMC INTERNATIONAL:  President: Robert Milligan
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
  Për cdo pyetje drejtohuni tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. A ka kompania jote – ose ndonjë kompani tjetër – një “shef personeli “, një ndërmjetës midis drejtuesve të lartë ose pronarëve dhe punonjësve. Si të duket kjo praktikë pune?
  2. Pse shpesh është e vështirë për drejtuesit e lartë që të mbajnë linja të drejtpërdrejta komunikimi me punonjësit? A të duket i justifikuar ky fenomen po të merren parasysh përgjegjësitë dhe detyrat e shumta që mbulon një drejtues? Pse, ose pse jo?
  3. Duke mos lenë mënjanë nevojën e drejtuesve për kohë, çfarë hapash mendon se duhet të ndërmerren  për t’iu dhënë atyre mundësi që, sikundër thuhet në Bibël,  të “njohin gjendjen e kopeve të tyre”, pa ia deleguar këtë përgjegjësi dikujt tjetër?
  4. Në rast se je vetë drejtues, çfarë mendon të bësh, duke filluar që sot, në mënyrë që të jesh më i kapshëm dhe më i pranishëm për ata që janë nën ty ose që punojnë me ty?

SHËNIM: Po ta kesh Biblën dhe dëshiron të lexosh më shumë për këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:

Fjalë të Urta 14:4, 15:22, 19:20, 20:18, 20:28; Psalme 23:1-6; Filipianëve 2:3-4

0 komente:

Post a Comment