headerphoto

TЁ ZBULOSH FATIN TЁND – DUKE SHЁRBYER

Nga: Robert J. Tamasy
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve të krishterë
25 Janar, 2010

Të gjithë kemi aspirata dhe ambicie. Disa përpiqen të zënë pozicione sa më të larta nëpër administrata kurse disa preferojnë përqasjen ndaj biznesit duke shpresuar se një ditë do të kenë kompaninë e tyre. Për disa të tjerë objektivat janë edhe më të përcaktuara – ata synojnë për të patur sa më shumë pasuri materiale.

“Secili lumturohet sipas mënyrës së vet”, mund të thotë dikush. Pra, sipas kësaj thënieje, lumturia përcaktohet nga plotësimi i gjërave që dëshirojmë. Por mua më ka intriguar një thënie e Albert Schweitzer (Albert Shvaicer), mjekut dhe filozofit të njohur franko-gjerman:
“Nuk e di se si do të jetë fati juaj, por një gjë e di: të vetmit prej jush që do të jenë vërtetë të lumtur janë ata që kanë kërkuar dhe gjetur mënyrën se si të shërbejnë.”

Sa prej nesh kanë dëshirë dhe ambicie që të vihen në shërbim të të tjerëve? Mund të përmendim disa kulme të njohur si Nënë Tereza dhe si vetë Shvajtzeri, i cili, në fillim të viteve 1900, ndërtoi një spital duke hedhur kështu bazën e parë të shërbimit shëndetësor në Afrikën Qëndrore. Por në shekullin tonë, shekullin e 21-të, nocioni i gjetjes së lumturisë duke iu shërbyer të tjerëve nuk përputhet fare me mënyrën tonë të të menduarit. Orët e gjata të punës i kalojmë në një mjedis tepër kërkues ku biznesi nuk të fal.

Të gjesh lumturinë duke iu shërbyer të tjerëve!? Fillimisht mendova ta largoja këtë ide si një ide të çartur idealiste. Por nuk mund ta mohoj se ka shumë raste kur jeta jonë hijeshohet nga altruizmi i të tjerëve: një mësues që të përkushtohet, një koleg pune që të ofron ndihmë vullnetarisht edhe pa ia kërkuar, një shef që investon kohë dhe energji për të na ndihmuar që të jemi më të aftë në punë e më produktive etj.

Jezusi ka folur shpesh në Bibël mbi të shërbyerit të tjerëve. I ashtuquajturi “Rregulli i Artë” buron nga thënia e tij e mëposhtme: “Siç dëshironi që t’ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta” (Lluka 6:31). Në Testamentin e Vjetër përmendet këshilla që Jezusi i pati dhënë një udhëheqësi fetar: “...do ta duash të afërmin tënd si veten tënde” (Levitiku 19:18, Lluka 10:27).
Ne na pëlqen që të tjerët të na trajtojnë me respekt dhe konsideratë. Të njëjtin trajtim duhet t’iu rezervojmë edhe ne atyre. Megjithatë, në shumë raste kjo nuk ndodh vetvetiu. Që të ndodhë kjo duhet preokupim, përkushtim dhe vëmendje ndaj interesave të të tjerëve. Një kompani, për të cilën kam punuar dikur, i realizon këto nëpërmjet të ashtuquajturit “pohim të vlerave” që shprehet kështu: Ne kërkojmë më të mirën tek gjithsecili dhe çdo njeri e shohim si të veçantë në vlerat e tij. Në të gjitha marrëdhëniet tona e trajtojmë njëri-tjetrin me mirësi, respekt dhe konsideratë.

Ja edhe disa parime të tjerë biblikë mbi rëndësinë e të shërbyerit të tjerëve:
Vlerësoje tjetrin. “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten” (Filipianëve 2:3-4).

Imito Jezusin. “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin: I cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie…,e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori…” (Filipianëve 2:5-7).
Shërbe në emër të Perëndisë. “…tani jemi zgjidhur nga ligji…, prandaj të shërbejmë në risinë e Frymës” (Romakëve 7:6).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Cili nga qëllimet e tua personale ose profesionale, nëse ka, është bazuar mbi synimin për plotësimin e interesave të të tjerëve?
  2. Çfarë mendon për thënien e Albert Shvajtzerit se, “… të vetmit prej jush që do të jenë vërtet të lumtur janë ata që kanë kërkuar dhe gjetur mënyrën se si të shërbejnë”? Sipas teje, kjo thënie është realiste apo idealiste?
  3. Si je ndjerë kur të tjerët kanë sakrifikuar kohën dhe mundin e tyre për të të shërbyer ty? A të ka bërë kjo që të mendosh që edhe ti t’iu shërbesh të tjerëve? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Në ç’mënyrë do të ndryshonte veprimtaria jote e përditshme në punë dhe në jetën personale në rast se do t’a përvetësoje sugjerimin e Dr. Shvajtzerit dhe do të kërkoje për të gjetur mënyrat për t’u shërbyer të tjerëve?

Shënim: Në rast se e ke Biblën dhe do deshe të shikoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, referohu si më poshtë:
Mateu 23:11-12; Marku 9:35, 10:45; Lluka 22:27; Galatasve 5:13; 1 Pjetri 5:2-6

0 komente:

Post a Comment