headerphoto

PLANIFIKOJE QËLLIMIN

Nga: Robert J. Tamasy
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve të krishterë
04 Janar, 2010

Tani që ethet e shkurtra por të këndshme të festimeve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri përfunduan, është koha që të përqendrohemi në vitin që sapo hyri. Kjo ka të bëjë me plane, vendosje qëllimesh e objektivash dhe me gjetjen e zgjidhjeve për probleme të ndryshme. Disa prej këtyre planeve do të synojnë për një progres më të madh mbi bazën e arritjeve të deritanishme, por mjaft të tjerë kanë të bëjnë me dëshirën për të harruar të kaluarën dhe me një fillim të ri.

Viti që shkoi disave iu duk i stërzgjatur për shkak të anktheve dhe maktheve që përjetuan. Ata shpresojnë që viti i ri të jetë më shpresëdhënës. Disa të tjerëve lamtumira e 2009-ës iu duk e dhimbshme për shkak se gjatë atij viti ata patën ngjarje të shënuara në fushën personale dhe profesionale. Ka të tjerë që betejat dhe dështimet e vitit të kaluar i panë në dritë pozitive dhe për këtë vit do të përpiqen të vënë në jetë mësimet që nxorrën.

Ndërsa bëjmë plane dhe vendosim objektiva është mirë të kemi parasysh një princip të rëndësishëm që del nga përvoja e bizneseve të suksesshme. Përgjithësisht këta biznese kanë një dokumentacion të pasur ku janë përshkruar me hollësi dhe qartësisht qëllimet dhe misioni i tyre. Kjo është një lloj kujtese formale për stafin e punonjësve dhe bashkëpunëtoret. Këtë përvojë nuk duhet ta neglizhojmë, madje duhet ta thellojmë më tej duke formalizuar edhe përgjigjet për pyetje të tilla si “Pse jam këtu ku jam?” “Për ku jam nisur?” “Si do ta marr vesh që kam mbërritur atje për ku jam nisur?”

Shumë nga koleget e mi e kanë bërë këtë gjë dhe ia kanë parë dobinë. Përkufizimi, pra hedhja në letër e qëllimeve dhe objektivave kryesore në formë të qartë e të prerë nuk ta kufizon aspak sensin e iniciativës dhe krijimtarisë spontane. Përkundrazi, të jep më shumë liri të kanalizuar në drejtimin e duhur. Një fjalë e urtë thotë: “Po synove asgjënë, atë do të arrish”. Formulimi përkufizues i një objektivi në punë ose i një apo disa qëllimeve personale na ndihmon që të përcaktojmë më mirë se kush jemi, çfarë duam të arrijmë në jetë dhe si mendojmë ta arrijmë atë që synojmë. Mirë është që në këto përkufizime të ketë edhe afate kohore ( pyetja “kur”) si edhe një motivacion në lidhje me atë çka duam të arrijmë ( pyetja “pse”).

Kur një person arrin të formulojë qëllimin dhe objektivin kryesor dhe vendos të jetojë mbi këtë bazë, atëherë të gjitha qëllimet, objektivat e nënobjektivat e mëparshme filtrohen nëpërmjet tij. Ato që nuk bien ndesh me objektivin kryesor mbahen, të tjerat hidhen poshtë ose, në disa raste, lihen mënjanë për t’u shqyrtuar më vonë.

Formulimi i Qëllimit Kryesor mund të bëhet edhe për çështje vlerash morale dhe të besimit, çështje këto që shkojnë përtej qëllimeve dhe objektivave thjesht praktike. Ky formulim mund të bëhet edhe për dhunti unikale që ti zotëron dhe që mendon se vetëm ti mund t’ia ofrosh shoqërisë. Dr. Rick Warren, i cili kontribuon rregullisht për Mannën e së Hënës, ka shkruar librin “Jeta e udhëhequr nga qëllimi” ku na sugjeron që secili prej nesh t’i bëjë këto pyetje vetes, “Pse vallë kam ardhur në këtë jetë?” Ja vlen që disa nga konkluzionet që arrihen në këtë libër të kihen parasysh sipas radhitjes së mëposhtme:

  • Qëllimi #1: Ti je planifikuar për kënaqësi të Zotit (Adhurimi)
  • Qëllimi #2: Ti je formësuar për familjen e Zotit (Përkatësia)
  • Qëllimi #3: Ti je krijuar për t’u bërë si Krishti (Përkushtimi)
  • Qëllimi #4: Ti ke ardhur në jetë për t’i shërbyer Zotit (Detyra)
  • Qëllimi #5: Ti je bërë për të përmbushur një mision (Misioni)
Unë vetë formulimin e qëllimit e kam bërë duke u bazuar në një varg shkruar nga apostulli Pal që gjendet në një letër të tij për kishën e Filipit. Ai shkruan, “Qëllimi im është të njoh Atë (Jezu Krishtin) dhe fuqinë e ringjalljes së Tij , të marr pjesë në mundimet e tij duke u bërë vetë i ngjashëm me të…” (Filipjanëve 3:10). Sa herë që i rishikoj qëllimet e mia, këtë thënie e gjej shumë frymëzuese për të vlerësuar ata çfarë bëj dhe pse e bëj.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A mendon të bësh ndonjë plan të veçantë apo të vendosësh ndonjë qëllim për këtë vit?
  2. Kur bën plane afatgjatë, çfarë procesi ndjek zakonisht? A të ndihmon plotësisht ky proces?
  3. A ke menduar ndonjëherë që të formulosh me shkrim një mision tëndin personal? Nëse dikush të pyet tani se cili është ky mision apo qëllim, cila do të ishte përgjigja jote?
  4. A mendon se është frytdhënës formulimi me shkrim i një misioni individual për jetën dhe punën?


SHENIM: Në Bibël ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë. Për më shumë referoju vargjeve si më poshtë:
Psalme 37:4-5; Fjale te Urta 3:5-6, 16:3, 21-2-3; Jeremia 29:11-13; Efesianeve 2:10; 2 Timoteu 3:16-17

0 komente:

Post a Comment