headerphoto

MOS KA ARDHUR KOHA TË NDALESH E TË REFLEKTOSH?

Nga: Robert D. Foster
Shërbesë për komunitetin
e biznesmenëve të krishterë
18 Janar, 2010


Në librin e tij ‘Paradoksi i Suksesit’ biznesmeni i njohur John Owens (Xhon Ouens) tregon se megjithëse i ndodhur në majë të piramidës së biznesit, jeta e tij personale kishte marrë fund. Gruaja dhe dy fëmijët e kishin braktisur; punonjësit e firmave të tij i shmangeshin marrëdhënieve të afërta me të, ndërsa miqtë i ndjente të ftohtë dhe të distancuar. Ai po bëhej shembulli klasik i liderit të suksesshëm në biznes, por tërësisht të falimentuar në jetën e tij private.

Ai shkruan, “Asgjë rreth meje në ambientin e punës nuk është paqësore. Miliona mendime më ziejnë në kokë dhe gjithmonë kam përpara një listë të pafundme punësh që duhen kryer. Kaosi bie në sy edhe në gjërat që kam mbi tryezë. Dhjetëra letra të vogla me shënime të ngjitura në anët e kompjuterit, një pirg me libra të palexuara ndërsa pirgje të tjera më të vogla me gazeta e revista kanë zënë gjithë sipërfaqen e lirë të tryezës. Bleva një shatërvan artificial uji të tipit Zen, i cili lëshon jone negative në ajër që reduktojnë stresin, por klima është aq e thatë sa uji avullon menjëherë dhe mbetet vetëm zhurma bezdisëse e motorit të vogël e cila dominon mbi zhurmën qetësuese të ujit që bie”.

A gjen diçka nga jeta jote në këtë përshkrim? Nëse po, atëherë kam vetëm një këshillë për ty: MJAFT MË! Vëri fre rendjes së përditshme pas punëve dhe vetëm punëve. Ngadalësoje ritmin për të gjetur kohën që të shikosh pak më thellë në botën që të rrethon.

Çdo vit, para pashkëve, shumë kisha kryejnë një ritual që quhet Lent. Janë 40 ditë kushtuar kujtimit të Jezu Krishtit. Këto 40 dite Krishti i jetoi në natyrën e egër duke agjëruar e duke përgatitur veten për të përballuar tundimet e mëdha që do t’i shfaqeshin. Këtë moment do ta gjeni të përshkruar me hollësi tek Mateu 4:1-11 në Testamentin e Ri të Biblës.

Shumë prej nesh në një farë mënyre ndodhen në pozicionin e zotit Ouen, duke u përplasur sa andej këtej në kërkimin e ethshëm për sfida të reja, gjithnjë e më të mëdha, pa gjetur kurrë kohen për t’i bërë vetes pyetjen e thjeshtë: Pse?

Do ende kohë që të vijë periudha tjetër e ritualit Lent. Megjithatë, edhe sikur të mos jesh frekuentues i kishës, madje edhe sikur të mos jesh fare besimtar, duhet ta kesh mençurinë e mjaftueshme për të bërë një “pushim vjetor” sikundër sugjeron Lent-i, gjatë të cilit të vendosesh një disiplinë të ashpër mbi vetveten dhe të arrish të qetësosh kaosin që të rrethon për të pasur mundësinë që, krahas të tjerave, të vrojtosh edhe njerëzit rreth teje dhe ndikimin – ose mungesën e ndikimit – tënd mbi ta. Të pyesësh me ngulm vetveten: A ja vlen të paguash një çmim kaq të lartë për atë çka po synon në lidhje me punën a biznesin?
Më saktë akoma. Mos prit derisa të vijë periudha tjetër e Lent-it. Fillo që sot duke gjetur përgjigjet për pyetjet si më poshtë:
  • Cilat janë synimet e mija në lidhje me veten dhe familjen në ditët e mëpastajme?
  • Cilat janë ato gjëra të vjetruara tashmë në veten time që duhet të zhduken për t’ia lënë vendin të rejave?
  • Si mund të ndërtoj një vend shenjtërie e qetësie brenda botës time kaq të mbytur në punë?
Mos gjetja e kohës së mjaftueshme për të reflektuar e për t’i bërë ndershmërisht vetes këto pyetje duke gjetur edhe përgjigjet e duhura për to, do t’ju kushtojë shumë më shtrenjtë nga ç’mund ta imagjinoni. Jezusi ka thënë, “Kush kërkon të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë, por kush do ta humbasë jetën për shkakun tim, do ta shpëtojë atë” (Lluka 9:24).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. A e gjen veten ose dikë tjetër që njeh në përshkrimin e Xhon Ouen-it? Si u ndjeve teksa e lexove atë përshkrim?
  2. Përkushtimi i tepërt ndaj biznesit i kushtoi Ouenit prishjen e familjes dhe humbjen e miqve. Sipas teje, a ja vlen që, për hir të biznesit, të sakrifikohet gjithçka tjetër në jetë?
  3. Robert Foster-i sugjeron tri pyetje. Si do u përgjigjeshe ti këtyre pyetjeve?
  4. Nën dritën e përgjigjeve që dhe për tri pyetjet, çfarë ndryshimesh duhet të besh brenda vetes gjatë ditëve, javëve e muajve në vazhdim?


SHENIM: Nëse e ke Biblën dhe do deshe të shikoje pasazhe të tjera në lidhje me këtë temë, drejtoju vargjeve si më poshtë:
Fjalë të Urta 4:23, 16:2, 21:2, 27:23-27, 28:2; Predikuesi 5:10-20; Mateu 5:19-24, 33-34

0 komente:

Post a Comment